
Në sallat e ndriçuara të selisë së UNESCO-s në Paris, së fundmi është inauguruar një ekspozitë që i dedikohet katër manastireve ortodokse të Kosovës: Deçanit, Graçanicës, Patriarkanës së Pejës dhe Ljevišës në Prizren.
Këto monumente janë prezantuar si “trashëgimi serbe në rrezik”, të cilat – sipas narrativës së përzgjedhur – flasin për një civilizim të lashtë serb që gjoja lulëzonte në zemër të Dardanisë. Ironikisht, në tërë këtë diskurs, shqiptarët, banorët autoktonë të kësaj toke, nuk përmenden askund.
Kush ishin këtu para manastireve?
Për t’i dhënë një frymë më “universaliste”, ekspozita shmang me mjeshtëri pyetjen më të sikletshme:
Kush jetonte në Kosovë përpara se të ndërtoheshin këto manastire?
Përgjigja është, natyrisht, shqiptarët – pasardhës të ilirëve dhe dardanëve, të cilët jo vetëm që jetonin në këto troje shekuj më parë, por kishin edhe strukturat e veta fetare, kulturore dhe shtetërore. Kisha ortodokse e Mesjetës, e përhapur edhe në mesin e shqiptarëve, u shndërrua më vonë në instrument të identitetit nacional serb, ndërsa shqiptarët u portretizuan si të “jashtëm” në historinë e tyre.

Manastiret si projeksione politike – jo vetëm objekte kulturore
Nuk ka asgjë të keqe të ekspozohen manastiret si objekte të rëndësishme arkitektonike e shpirtërore. Por kur ato trajtohen vetëm si simbol i një identiteti të vetëm (serb) dhe fshihen shtresat e tjera historike që lidhen me shqiptarët – atëherë kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm të historisë.
Në fakt, shumë prej këtyre objekteve u ndërtuan gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine dhe më pas të Perandorisë Serbe të Nemanjiqëve – në një kohë kur shqiptarët jo vetëm që ishin banorë të shumicës në këto zona, por në raste të caktuara ishin mbrojtës, ndërtues dhe mirëmbajtës të këtyre objekteve, siç dëshmohet në burime osmane, venedikase dhe ato të kronikave lindore.
Akademia dhe heshtja e saj
Për fat të keq, një pjesë e akademisë ndërkombëtare vazhdon të riprodhojë të njëjtat narracione të njëanshme – sepse janë më të thjeshta për t’u artikuluar në dokumente politike. Ajo që quhet “Trashëgimi Botërore në Rrezik” është në fakt një trashëgimi narrative që rrezikon të fshijë shqiptarët nga historia e vet.
Dhe kjo nuk është hera e parë: nga ekspozitat diplomatike te panelet ndërkombëtare, nga librat shkollorë në Ballkan e deri te deklaratat e “ekspertëve të paanshëm”, shqiptarët shpesh paraqiten si “të padukshëm”, të padokumentuar, të panjohur – por në mënyrë të çuditshme, gjithmonë të rrezikshëm”.
Ironia e vërtetë: Kur historia ortodokse serbe “zë” vend në UNESCO, por historia shqiptare nuk zë as edhe një fjali
Ekspozita në Paris është dëshmi e fuqisë së kulturës së kurimit selektiv të kujtesës historike. Në vend që këto manastire të paraqiten si vlerë e përbashkët e një peizazhi kulturor shumëetnik, ato sillen si trofe të një trashëgimie që u përket vetëm “një pale” – si për ironi, asaj që aktualisht është pakicë në Kosovë.
Kujt i shërben kjo ekspozitë?
A i shërben UNESCO-s?
A i shërben paqes ndërkulturore?
A i shërben dialogut?
Apo thjesht legjitimon narrativat politike që synojnë tjetërsimin e tokës përmes objekteve të kultit?
Historia nuk është e bardhë ose e zezë. Por kur fshin shqiptarët, nuk është as histori. Është propagandë me ngjyra të buta dhe ndriçim ekspozite.
KAQPATA