
Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka konfirmuar se transferimi i Luka Modrić është prioritet për klubin dhe se marrëveshja është në fazën përfundimtare. Legjenda kroate pritet t’i bashkohet kuqezinjve pas përfundimit të angazhimit me Real Madridin në Kupën e Botës për Klube.
Tare, ish-futbollist shqiptar dhe ish-drejtues i Lazios, ka folur me entuziazëm për kontaktet me mesfushorin kroat:
“E takova personalisht. Ai është ende i etur për konkurrencë. Ajo që do të sjellë në ekip është thelbësore — cilësi, përvojë dhe mbi të gjitha lidership,” u shpreh Tare për mediat italiane.
Modrić, fitues i gjashtë Ligave të Kampionëve, i ka bërë një pyetje të qartë Tares në takimin e tyre:
“A do ta ndërtojmë një ekip për ta fituar titullin?”
Kjo sipas Tares, tregon mentalitetin fitues dhe ambicien e 38-vjeçarit, i cili ende synon të jetë protagonist në nivelet më të larta të futbollit evropian.
Tare tha se fakti që Modrić është tifoz i vjetër i Milanit e bën këtë histori edhe më emocionuese. Ai shtoi se prania e Modrić në dhomën e zhveshjes do të ndikojë pozitivisht në grupin e lojtarëve të rinj dhe në synimet e klubit për sezonin e ardhshëm.
“Ky do të jetë sezoni i fundit përpara Kupës së Botës, dhe ai dëshiron ta mbyllë me një rol lideri. Ne kishim nevojë për një figurë si ai,” përfundoi Tare.
Transferimi i Modrić pritet të zyrtarizohet menjëherë pas përfundimit të turneut ndërkombëtar me Real Madridin, ndërsa tifozët e Milanit tashmë kanë filluar të ëndërrojnë për një rikthim te lavdia.
KAQPATA