Policia shqiptare ka zgjeruar hetimet për atentatin ndaj Gilmando Danit deri në Spanjë, pasi dyshohet se planifikimi i ngjarjes ka nisur që në Barcelonë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se do të kërkohet bashkëpunim me autoritetet spanjolle për të zbuluar lëvizjet e Danit dhe mikut të tij Mustafa Sheqeri, të cilët më 7 nëntor udhëtuan drejt Barcelonës dhe më 11 nëntor, pas kthimit në Tiranë, ranë pre e atentatit në hyrje të Aeroportit të Rinasit.
Sipas hetuesve, Dani ishte ndjekur prej kohësh nga autorët dhe pritet që komunikimet e tij gjatë qëndrimit në Spanjë të jenë kyçe për zbardhjen e motivit.
Ngjarja ndodhi në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbi makinën e viktimës u qëllua me breshëri plumbash. Dani humbi jetën në vend, ndërsa shoku i tij, Mustafa Sheqeri, shpëtoi. Në makinën e djegur të autorëve, të gjetur në fshatin Halil, policia sekuestroi tre kallashnikovë dhe një pistoletë, që po i nënshtrohen ekspertizës.
Gilmando Dani njihej si person i afërt me Emiljano Shullazin, ndërsa autoritetet janë në kërkim të pistave të mundshme që lidhen me botën e krimit të organizuar.
KAQPATA