Një përleshje me armë ka tronditur Pejën pasditen e së premtes, ku dy persona kanë mbetur të plagosur në parkingun e Gjykatës Themelore të qytetit.
Policia ka arrestuar të dyshuarin kryesor, ndërsa nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar katër armë zjarri, përfshirë dy kallashnikovë. Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se motivi kryesor i ngjarjes dyshohet të jetë hakmarrja.
Të plagosurit, sipas Kallxo.com, ishin të dyshuar më parë për vrasjen e vëllait të autorit, në një ngjarje të ndodhur në prill të vitit 2022 në fshatin Volljakë të Klinës. Asokohe, në atë incident kishte mbetur i vrarë Fazli Hoxha, ndërsa dy vëllezërit e tij kishin pësuar lëndime trupore.
Sipas Prokurorisë, ajo vrasje ishte kryer për motive hakmarrjeje, pas një konflikti që kishte nisur në Itali për një borxh prej vetëm 300 eurosh.
Ngjarja e sotme duket si vazhdim i një zinxhiri të gjatë hakmarrjesh që nuk po gjen fund, duke rikthyer edhe një herë debatin për sigurinë publike dhe efektivitetin e sistemit të drejtësisë në parandalimin e akteve të tilla.
KAQPATA