
Arieta Spahiu, bashkëshortja e Arbnor Spahiut – ish-pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, që po mbahet në paraburgim në Serbi – ka reaguar publikisht përmes një letre drejtuar institucioneve shtetërore, duke kërkuar ndihmë dhe përkrahje për të shoqin, që sipas saj po mbahet padrejtësisht.
Në letrën e saj të publikuar, Spahiu shpreh zhgënjimin dhe tronditjen nga heshtja e institucioneve kosovare:
“Kam dërguar letra, kërkesa, lutje – në Presidencë, në Kryeministri, në Ministri, në çdo institucion që ekziston. Por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Jo një telefonatë. Jo një interesim. Heshtje totale.”
Ajo thekson se ndodhet në një gjendje të rëndë emocionale dhe shpirtërore, duke kërkuar reagim urgjent nga autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare.
“Ku të shkoj më? Kujt t’i trokas në derë kur çdo derë mbyllet para meje? Sa e rëndë është kjo ndjesi kur nuk ndihesh më pjesë e një shteti që duhet të të mbrojë?”, shkruan ajo ndër të tjera.
Letra përfundon me një apel emocional:
“Ju lutem, mos heshtni më. Ju lutem, dëgjoni zërin tim. Ju lutem, reagoni sa nuk është vonë.”
Arbnor Spahiu ndodhet tash e një muaj në paraburgim në qytetin e Suboticës, Serbi, pas arrestimit të tij, ndërsa ende nuk janë dhënë detaje zyrtare për akuzat që rëndojnë mbi të.
KAQPATA