
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar mundësinë e një greve të përgjithshme nëse deri më 20 shtator Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk nis dialogun me përfaqësuesit e arsimit.
Kërkesat kryesore të sindikatës përfshijnë:
- Negocimin dhe nënshkrimin e kontratës së re kolektive;
- Rritjen e vlerës së koeficientit;
- Zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e përvojës së punës;
- Përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve të arsimit.
Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, tha për KosovaPress se rritja aktuale prej 55 euro është simbolike krahasuar me rritjen enorme të çmimeve.
Ajo theksoi gjithashtu se është dorëzuar një iniciativë legjislative qytetare për ndryshimin e ligjit të skemave pensionale, në mënyrë që vitet e punës së mësimdhënësve gjatë periudhës 1990–1999 të njihen si vite kontributdhënëse.
Sipas Shalës, një nga problemet kryesore mbetet mungesa e dixhitalizimit në shkollat e Kosovës, në krahasim me vendet fqinje që kanë përparuar ndjeshëm në këtë proces.
“Që nga viti 2022 nuk kemi pasur takime të frytshme me MASHT-in dhe sidomos me ministren Arbërie Nagavci,” tha Shala.
SBASHK kritikon edhe mënyrën e fundit të subvencionimit të librave shkollorë, duke theksuar se modeli i dikurshëm – ku librat siguroheshin paraprakisht për nxënësit – ishte më efektiv dhe më i lirë.
Kujtojmë se SBASHK-u protestoi për herë të fundit më 4 dhjetor 2024, me kërkesën për rritje pagash dhe nënshkrimin e kontratës kolektive.
KAQPATA