Një grabitje e planifikuar me përpikëri ka tronditur Muzeun e Luvrit në Paris, ku brenda vetëm shtatë minutash u mor një koleksion bizhuterish mbretërore me vlerë të paçmueshme. Grabitësit, të armatosur me mjete prerëse, hynë në ndërtesë përmes një ngritësi mobil dhe u arratisën me motorë skuter.
Autorët lanë pas një jelek të verdhë me gjurmë ADN-je, që tashmë konsiderohet si prova kryesore për identifikimin e tyre. Sipas Prokurores së Parisit, grupi goditi sallën e famshme të Apolonit, ku u morën objekte të rralla si një tiarë me mbi 1,000 diamante, një gjerdan me safirë dhe bizhuteri që dikur i përkisnin mbretëreshave Marie-Amélie, Hortense dhe Eugénie.
Në mënyrë të çuditshme, grabitësit lanë të paprekur diamantin “Régent” me 140 karatë dhe braktisën një tiarë tjetër me 1,354 diamante dhe 56 smeralde gjatë arratisë.
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, është shprehur se autorët “nuk do të shkojnë larg”, ndërsa Ministri i Drejtësisë e ka quajtur ngjarjen “njollë për imazhin e Francës”.
Brigada kundër krimeve të organizuara (BRB) po analizon pamjet e kamerave dhe provat materiale, përfshirë jelekun, një batanije dhe ngritësin që autorët tentuan ta digjnin.
Ndërkohë, Presidenti Emmanuel Macron reagoi në rrjetin X, duke kërkuar “rikthimin e menjëhershëm të veprave të vjedhura dhe dënimin e fajtorëve”. Muzeu i Luvrit mbeti i mbyllur për publikun të hënën, ndërsa hetimet vazhdojnë intensivisht.
KAQPATA