
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të zgjasë edhe për dy muaj masën e paraburgimit ndaj 22 personave të arrestuar në kuadër të operacionit të madh antidrogë të njohur si “Qielli i thyer”. Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), e cila po heton rastin për trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal.
Zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se masa e paraburgimit është zgjatur deri më 3 shtator 2025 për secilin të dyshuar.
Sipas aktakuzës, të dyshuarit janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar kriminal që nga viti 2019 kanë trafikuar lëndë narkotike si kokainë, heroinë dhe marihuanë nga vendet si Amerika Latine, Irani dhe Turqia në drejtim të Kosovës dhe më pas në vende të tjera të Evropës, përfshirë Serbinë, Kroacinë, Bosnje e Hercegovinën, Gjermaninë dhe Zvicrën. Droga, sipas hetimeve, është futur në Kosovë e fshehur në kontejnerë, kamionë, vetura me bunkerë dhe përmes porteve detare të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Hetimi ka zbuluar se lëndët narkotike përziheshin me substanca si sodë bikarbonat për të rritur peshën dhe më pas pakoheshin sërish për t’u shpërndarë. Një pjesë e drogave është shitur edhe në tregun e brendshëm në Kosovë.
Të dyshuarit, sipas Prokurorisë, kanë arritur përfitime të mëdha financiare të cilat i kanë përdorur për të blerë prona të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe për të investuar në biznese të ndryshme me qëllim pastrimi parash dhe fshehje të burimeve të të ardhurave.
Emrat e personave të dyshuar përfshijnë: Rexhep Nikqi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Vuçetaj, Erduan Ismaili, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdik, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy dhe Ylli Musliu.
Në këtë rast, Prokuroria është mbështetur në të dhënat e siguruara nga transkriptet e aplikacionit të komunikimit të enkriptuar Sky ECC, të siguruara përmes bashkëpunimit me Francën, Belgjikën dhe EUROPOL-in. Të dhënat e siguruara janë analizuar nga autoritetet kosovare dhe kanë çuar në fillimin e hetimeve fillestare ndaj disa individëve, përpara se të zgjerohej lista e të dyshuarve.
Hetimi i koduar si rasti “Qielli i thyer” është një ndër operacionet më të mëdha të ndërmarra në Kosovë për luftimin e krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës, duke rezultuar në arrestime të shumta dhe konfiskim të sasive të mëdha të provave të rëndësishme. /GazetaExpress/
KAQPATA