
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka reaguar ashpër ndaj sanksioneve të shpallura nga Shtetet e Bashkuara kundër dy gjyqtarëve dhe dy prokurorëve të saj, duke i cilësuar ato si “sulm flagrant ndaj pavarësisë gjyqësore” dhe “fyerje ndaj rendit ndërkombëtar”.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump vendosi të mërkurën masa ndëshkuese ndaj gjyqtarëve Kimberly Proust (Kanada) dhe Nicolas Guillou (Francë), si dhe prokurorëve Nazhat Shameem Khan (Fixhi) dhe Mame Mandiaye Niang (Senegal). Nicolas Guillou ka shërbyer më herët edhe si gjykatës në Gjykatën Speciale për Kosovën në Hagë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e quajti GJNP-në “kërcënim për sigurinë kombëtare”, duke e akuzuar atë se është përdorur si “instrument lufte ligjore kundër SHBA-së dhe Izraelit”.
Në reagimin e saj, GJNP theksoi se këto sanksione përbëjnë “fyerje ndaj miliona viktimave të pafajshme në mbarë botën”, ndërsa u zotua se do të vazhdojë mandatin e saj pa u ndikuar nga presionet.
“Gjykata u bën thirrje Shteteve Palë dhe të gjithëve që ndajnë vlerat e drejtësisë dhe sundimit të ligjit të ofrojnë mbështetje të fortë për punën tonë, që kryhet vetëm në interes të viktimave të krimeve ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e GJNP-së.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e pasurive të zyrtarëve në juridiksionin amerikan dhe pasojnë vendimin e GJNP-së për të hetuar zyrtarë amerikanë dhe liderë izraelitë për krime të mundshme lufte.
KAQPATA