Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se në lokacionin Lugjet e Nekës, në Bjeshkët e Strellcit, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës, të cilët ende figurojnë në Listën e Personave të Zhdukur.
Sipas njoftimit, informatat u siguruan nga qytetarë dhe u adresuan te Policia e Kosovës – Sektori për Personat e Zhdukur, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it.
“Me urdhër të Prokurorit kompetent, mbetjet mortore u zhvarrosën dhe u dërguan në IML për ekzaminime dhe identifikim përmes analizës së ADN-së”, thuhet në komunikatë.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka theksuar se mbetet i përkushtuar në zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. Ai ka bërë thirrje qytetarëve që të ndajnë çdo informacion që mund të ndihmojë këtë proces.
Publiku do të informohet për çdo zhvillim të ri pas përfundimit të procedurave përkatëse.
KAQPATA