
Ish-mesfushori legjendar i Italisë dhe Milanit, Gennaro Gattuso, do të jetë trajneri i ri i kombëtares italiane. Lajmin e ka konfirmuar zyrtarisht menaxheri i kombëtares, Gigi Buffon, duke theksuar se ky ishte “vendimi më i mirë i mundshëm për momentin që po kalon Italia”.
Vendimi vjen pas shkarkimit të trajnerit të mëparshëm Luciano Spalletti, i cili u largua pas humbjes 3-0 ndaj Norvegjisë, pavarësisht fitores ndaj të njëjtit kundërshtar disa ditë më parë.
“Kemi punuar intensivisht, tashmë mbeten vetëm disa detaje të vogla për finalizim. Besoj se kemi marrë vendimin më të mirë të mundshëm për të ardhmen e skuadrës sonë,” deklaroi Buffon për RAI Sport.
Gattuso, zgjedhja pas disa alternativave
Fillimisht, zgjedhja e parë e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) ishte Claudio Ranieri, por ai e kishte refuzuar ofertën pas marrjes së një roli si këshilltar special te Roma dhe kishte shpallur largimin nga trajnimi aktiv.
Emra të tjerë që ishin diskutuar ishin edhe Stefano Pioli, Daniele De Rossi dhe Fabio Cannavaro, por shumë shpejt Gattuso u kthye në favoritin kryesor.
Sipas mediave italiane, negociatat përfundimtare u zhvilluan përmes takimeve mes Gattusos, Buffonit dhe presidentit të FIGC-së, Gabriele Gravina.
Buffon: “Na duhen ndryshime të mençura”
Në deklaratën e tij, Buffon theksoi nevojën për stabilitet dhe shmangie të paraqitjeve zhgënjyese:
“Ka mënyra të ndryshme për të humbur, por disa paraqitje të fundit kanë qenë të papranueshme. Me disa ndryshime të vogla dhe një drejtim të ri, mund të shmangim më të keqen dhe të kthehemi te loja e vërtetë italiane.
Detyra e parë e Gattusos
Italia do të rikthehet në fushë për kualifikimet e Kupës së Botës 2026, ku do të përballet me Estoninë më 5 shtator, dhe më pas me Izraelin më 8 shtator – dy ndeshje që do të jenë test i menjëhershëm për trajnerin e ri dhe ambiciet e Italisë në këtë cikël të rëndësishëm.
KAQPATA