Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë në Operacionin Interflex në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të mbështetjes për trajnimin e ushtarakëve nga Ukraina. Kjo nismë synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës kundër agresionit rus.
FSK po vepron me kontingjentin e saj të katërt që nga fillimi i pjesëmarrjes në këtë operacion dhe është pjesë e Kompanisë Echo, e cila udhëhiqet nga njësi të Zelandës së Re. Kjo kompani përfshin gjithashtu njësi nga Estonia, Lituania dhe Kosova.
Sipas njoftimit, kontingjenti i FSK-së është i angazhuar në detyra planifikimi, përgatitje logjistike dhe zbatimin e kurseve pesëjavore për trajnimet e forcave ukrainase. Deri më tani, Kompania Echo ka përfunduar tre cikle trajnimesh.
Misioni i FSK-së përfshin përgatitjen e pjesëtarëve ukrainas për udhëheqje skuadrash, taktika luftarake, patrullime, operacione mbrojtëse dhe sulmuese, si dhe përdorimin e dronëve dhe qitjen taktike.
Ky angazhim tregon përkushtimin e Kosovës për të bashkëpunuar me aleatët ndërkombëtarë në mbështetje të paqes dhe sigurisë globale.
KAQPATA