Disa media në Kosovë po e shesin hyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut si “gabim” – sikur FSK-ja të kishte kaluar kufirin e ndonjë shteti të huaj. Kjo qasje është tregues i një problemi më të thellë: një pjesë e opinionbërjes në vend ende nuk e ka brendësuar faktin se sovraniteti i Kosovës shtrihet nga Hani i Elezit deri në veri të Ibrit, pa përjashtim.
Të flasësh për “hyrje gabimisht” në Mitrovicën e Veriut, do të thotë të pranosh, në heshtje, narrativën serbe se ajo zonë nuk i përket Kosovës. Dhe kjo, e thënë përmes gojës së mediave kosovare, është edhe më e rrezikshme se propaganda që vjen nga jashtë.
Në vend që të jenë zë i realitetit shtetëror, disa media po i shërbejnë politikave që minojnë shtetin. Duke e paraqitur çdo lëvizje të FSK-së në veri si “provokim”, ato e dobësojnë legjitimitetin e institucioneve të sigurisë dhe e ushqejnë mentalitetin e nënshtrimit që Kosova e ka tejkaluar me sakrifica.
Nëse një pjesëtar i FSK-së nuk mund të kalojë lirshëm në çdo qytet të Kosovës, atëherë problemi nuk është tek ushtari — është tek mënyra si disa redaksi e kuptojnë shtetin.
Mitrovica e Veriut nuk është “zonë e ndaluar” e as “tokë neutrale”; është Kosovë. Dhe kush e quan ndryshe, qoftë nga padituria apo llogaritja politike, e dëmton identitetin e shtetit që pretendon ta mbrojë me fjalë.
Koha është që disa media ta kuptojnë se patriotizmi nuk matet me flamuj në kopertinë, por me mënyrën si raporton e si mbron të vërtetën. Dhe e vërteta është e thjeshtë: FSK-ja nuk hyri në veri — ajo ishte aty ku i takon të jetë.
KAQPATA