
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Enrico Barduani. Takimi u fokusua në diskutimin për gjendjen aktuale të sigurisë në nivel rajonal dhe global, si dhe për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë.
Të dy zyrtarët vlerësuan lart pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrimin ndërinstitucional “Golden Sabre 25”, organizuar nga misioni i NATO-s në Kosovë. Ky ushtrim përfshiu bashkëpunim mes FSK-së, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit institucional përballë sfidave të sigurisë.
Maqedonci shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të vazhduar koordinimin me KFOR-in në çështjet strategjike me interes të përbashkët, në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.