
Përfaqësuesi i Kosovës në futboll, Florent Muslija, pritet të largohet nga klubi gjerman Freiburg gjatë merkatos verore, pasi nuk ka gjetur hapësira të mjaftueshme në skuadrën e Bundesligës.
Sipas të përditshmes gjermane Kicker, për mesfushorin ofanziv ka interesime nga klube të Bundesliga II dhe jashtë Gjermanisë, përfshirë edhe Superligën turke. Raportimet bëhen edhe më konkrete nga mediumi turk Fotospor, i cili shkruan se në garë janë futur Kocaelispor dhe Gençlerbirligi, dy prej klubeve të sapongjitura në elitën e futbollit turk.
Një detaj interesant është përfshirja e Milot Rashicës, futbollistit të Besiktasit dhe bashkëlojtarit të Muslijës në përfaqësuesen e Kosovës, i cili po ndërmjetëson për ta bindur atë që t’i bashkohet futbollit turk.
Muslija iu bashkua Freiburgut nga Paderborni para një viti e gjysmë për shumën prej 1 milion euro, por nuk arriti të konsolidohej si titullar. Gjatë sezonit të fundit, ai zhvilloi 13 ndeshje, duke realizuar 1 gol dhe 1 asistim në të gjitha garat.
Edhe pse prioriteti i tij mbetet qëndrimi në Gjermani, interesimi nga klubet turke mund të rezultojë vendimtar për të ardhmen e tij, sidomos nëse ofrohet hapësirë më e madhe për lojë dhe zhvillim profesional.
KAQPATA