
Pas vrasjes së një 14-vjeçari dy ditë më parë në Maliq, ka reaguar familja e Martin Canit – adoleshenti që u vra me thikë muaj më parë në Tiranë nga një bashkëmoshatar.
Në një deklaratë publike, prindërit e tij theksojnë se tragjeditë me të mitur nuk lidhen me rrjetet sociale, por me mungesën e sigurisë në shkolla.
“Edhe pse qeveria mbylli TikTok-un, një tjetër i mitur u vra. Kjo tregon se ky vendim nuk ishte zgjidhje, por një pretekst politik. Kush do të fajësohet tani, Snapchat apo Instagram?”, shkruhet në reagimin e familjes.
Ata kërkojnë masa konkrete për parandalimin e ngjarjeve të tilla, duke theksuar se fëmijët nuk po vriten nga aplikacionet, por nga dështimet e sistemit shtetëror.
“Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen realitetin mbrapsht”, thuhet më tej në deklaratë.
Prindërit i shprehën ngushëllimet familjes së 14-vjeçarit të vrarë në Maliq, duke apeluar që kjo të jetë tragjedia e fundit dhe qeveria të ndërmarrë veprime të dukshme për mbrojtjen e fëmijëve.
KAQPATA