Autoritetet shqiptare kanë realizuar me sukses ekstradimin e shtetasit shqiptar të njohur si Clevio (K.A.), 39 vjeç, lindur në Lushnjë, i cili kërkohej ndërkombëtarisht për vepra të rënda penale. Ai u lokalizua dhe arrestua në Dubai falë bashkëpunimit të ngushtë midis Interpol Tiranës dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, që synon kapjen dhe rikthimin në atdhe të personave të shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar, Clevio ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i kishte caktuar në vitin 2024 masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”. Hetimet zbuluan se për një periudhë të gjatë, ai kishte përndjekur fizikisht dhe përmes rrjeteve sociale shtetasin R.R. dhe familjarët e tij.
Përveç kësaj, Gjykata e Fierit e kishte dënuar më herët me 9 muaj burg, për shkak të thyerjes së masës së sigurisë, pasi Clevio ishte larguar nga vendi i qëndrimit të caktuar nga gjykata.
Pas përfundimit të procedurave ligjore, ai është sjellë në Shqipëri dhe do të përballet me drejtësinë për akuzat që rëndojnë mbi të.
KAQPATA