Pak ditë më parë, mediat britanike raportuan se këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, kishte shkarkuar nga puna menaxherin e saj David Levy për shkak të qëndrimeve të tij pro-Izrael dhe kundërshtimit ndaj artistëve pro-Palestinë. Lajmi u përhap me shpejtësi dhe u shpërnda edhe nga grupe të ndryshme, duke marrë vëmendje të madhe publike.
Megjithatë, këngëtarja dhe agjencia e saj WME kanë reaguar ashpër, duke e mohuar plotësisht këtë pretendim. Në deklaratën e tyre thuhet se Levy nuk është pjesë e menaxhimit aktiv të Duas që nga viti 2019 dhe se nuk ka pasur rol në projektet e saj të fundit.
“Raportimet se Dua Lipa ose menaxhimi i saj pushuan një agjent për shkak të pikëpamjeve të tij politike janë krejtësisht të pavërteta,” theksoi WME.
Edhe vetë këngëtarja reagoi në Instagram, duke e cilësuar lajmin si të rremë dhe të fabrikuar për klikime.
“Nuk i mbështes veprimet e David Levy-t apo të tjerëve në industri ndaj një artisti që thotë të vërtetën e tij. Por mënyra se si kjo histori u trajtua nga mediat ishte thellësisht shqetësuese. Jo vetëm që lajmi ishte i rremë, por edhe gjuha e përdorur nga Daily Mail ishte provokuese dhe e dizajnuar për të nxitur përçarje online. Gjithmonë Free Palestine, por të shfrytëzosh një tragjedi globale për të shitur gazeta është e papranueshme,” shkroi Dua.
Ky reagim vjen në një periudhë të ndjeshme politike e kulturore, ku shumë artistë janë përfshirë në qëndrime publike rreth konfliktit Izrael-Palestinë.
KAQPATA