
Drejtori i Policisë reagon për rastin Zejnullahu: Nuk do të tolerohet asnjë tejkalim i autorizimeve
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se institucionet nuk do të tolerojnë asnjë formë të tejkalimit të autorizimeve policore, pas vdekjes së Agon Zejnullahut më 7 korrik në Lipjan, gjatë ndërhyrjes së pesë zyrtarëve policorë, të cilët tashmë ndodhen në paraburgim nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.
Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 62-të të Policisë së Kosovës, Hoxha theksoi se është përgjegjësi e institucionit që ai drejton të sigurojë hetim të drejtë dhe të plotë të rastit tragjik.
“Nga pozita e drejtorit të Policisë nuk do të lejojmë çfarëdo forme të tejkalimit të autorizimeve policore. Kërkoj që IPK, hetimet tona të brendshme dhe institucionet relevante të përdorin të gjitha burimet për të hetuar rrethanat e vdekjes së qytetarit tonë,” tha Hoxha.
Ai konfirmoi se hetuesit policorë janë urdhëruar të bashkëpunojnë ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës për të zbardhur të vërtetën.
“Do të ndërmarr çdo veprim të nevojshëm ligjor në bazë të përfundimeve të hetimit të plotë,” shtoi drejtori i Policisë.
KAQPATA