Ish-nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar për herë të parë pas shkarkimit nga kryetari aktual Përparim Rama, duke shprehur publikisht mbështetjen e saj për kandidatin e PDK-së për kryetar të kryeqytetit, Uran Ismailin.
Në reagimin e saj, Sahatçiu theksoi se gjatë bashkëpunimit me Ismailin ka përjetuar një qeverisje të ndershme, pa presione politike dhe me respekt të ndërsjellë. “Në fakt, unë po e gjeja veten me dinjitetin, sinqeritetin dhe pavarësinë që politikës në princip i mungon,” shkroi ajo.
Ajo shtoi se shkarkimi nga pozita ishte pasojë e “egos së kryetarit aktual”, duke e përshkruar qeverisjen e Përparim Ramës si “fasadë” dhe “delirium nga humbja e pushtetit”.
Sahatçiu tha se kandidatura e Uran Ismailit nuk është thjesht ambicie politike, por një mision për ta bërë Prishtinën funksionale dhe me vizion qytetar.
“Urani ka qenë spiranca ime në qeverisjen e Prishtinës. Jepja vetes mundësinë me pa Prishtinën me Uranin kryetar. S’keni me u pendu – unë e kam pa nga afër, me dinjitet e me krenari,” përfundoi ajo.
KAQPATA