Një dokumentar i ri me titull “ADN-ja e Hitlerit: Plani i një Diktatori” ka zbuluar detaje tronditëse mbi gjendjen gjenetike të Adolf Hitlerit, duke hedhur dritë mbi disa prej miteve që e kanë rrethuar për dekada.
Profesorja Turi King, eksperte në gjenetikën antike dhe forenzike, ka analizuar një mostër gjaku të ruajtur në një muze amerikan dhe e ka krahasuar me ADN-në e një kushëriri të Hitlerit nga Austria. Rezultatet treguan një përputhje të plotë, duke e bërë këtë identifikimin e parë të konfirmuar të ADN-së së diktatorit nazist.
Analiza gjenetike zbuloi një mutacion në gjenin PROK2, që lidhet me sindromën Kallmann, e cila mund të shkaktojë anomali seksuale si testikuj të pazbritur dhe nivele të ulëta të testosteronit. Ky zbulim përforcon raportet e vjetra për problemet fizike të Hitlerit.
Gjithashtu, testi tregoi një predispozitë për sjellje antisociale dhe nivele të larta të prirjes për autizëm dhe ADHD, por historianët theksojnë se faktorët psikologjikë dhe përjetimet e fëmijërisë kanë pasur ndikim më të madh në formimin e karakterit të tij.
Dokumentari rrëzon thashethemet për prejardhje hebraike, duke konfirmuar se linja mashkullore e Hitlerit përputhet plotësisht me origjinën e tij familjare austriake.
Autorët nënvizojnë se gjenetika nuk mund të justifikojë krimet e tij: “ADN-ja mund të shpjegojë shumë, por jo pse dikush bëhet diktator.”
KAQPATA