
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka pritur sot ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Lászlo István Dux, ku u bisedua për marrëdhëniet bilaterale dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit nga zyra e kryetarit të Kuvendit, takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Hungarisë, veçanërisht në nivelin parlamentar përmes komisioneve të përbashkëta.
Ambasadori hungarez i dorëzoi kryetarit Basha një letër urimi nga homologu i tij dhe e ftoi atë të marrë pjesë në Takimin e Kryetarëve të Kuvendeve të Evropës Juglindore, që do të mbahet në nëntor.
Në këtë takim u diskutua edhe për Programin e Bursave “Stipendium Hungaricum”, nga i cili kanë përfituar shumë studentë kosovarë. Kryetari Basha e cilësoi programin si një urë miqësie dhe mundësi të re për zhvillim akademik e profesional.
Ai falënderoi gjithashtu për mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë në rrugën e integrimit evropian të Kosovës, si dhe për kontributin e trupave hungareze në kuadër të misionit të KFOR-it, duke përkujtuar edhe lëndimet që ushtarët hungarezë patën pësuar gjatë sulmit në veri në vitin 2023
“Qëndrimi ynë i përbashkët është se Kosova dhe Hungaria do të vazhdojnë ta thellojnë partneritetin në shërbim të stabilitetit rajonal dhe të ardhmes sonë evropiane,” theksoi Basha.
KAQPATA