
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve paralajmëron kallëzim penal ndaj punëtorit të strehimores në Prishtinë pas dhunës ndaj një qeni endacak
Një video e publikuar së fundmi, që tregon një punëtor të strehimores publike të qenve në Komunën e Prishtinës duke ushtruar dhunë fizike ndaj një qeni endacak, ka shkaktuar reagim të ashpër nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve (FDK).
Sipas reagimit të FDK-së, pamjet janë dëshmi e një trajtimi mizor dhe të papranueshëm, të cilin ata e cilësojnë si jo vetëm të paligjshëm, por edhe si një simptomë e një problemi më të thellë dhe sistematik në qasjen e Komunës së Prishtinës ndaj mirëqenies së kafshëve.
“Në video, punëtori shihet duke shkelmuar dhunshëm qenin dhe duke e trajtuar atë me një egërsi tronditëse. Ky veprim është mizor, i paligjshëm dhe absolutisht i papranueshëm. Nuk ka asnjë justifikim për këtë lloj abuzimi,” thuhet në deklaratë.
FDK paralajmëron se është duke përgatitur një kallëzim penal ndaj individit të përfshirë në këtë rast, ndërkohë që po shqyrton edhe rrugë ligjore për të adresuar përgjegjësinë e zyrtarëve komunalë, të cilët sipas tyre, janë bashkëfajtorë përmes neglizhencës dhe mungesës së mbikëqyrjes.
“Për vite me radhë, zyrtarët komunalë kanë dhënë deklarata publike duke pretenduar përkushtim ndaj trajtimit human të kafshëve endacake. Ky incident dëshmon të kundërtën. Ne kërkojmë llogaridhënie. Kërkojmë drejtësi për kafshët që vuajnë pas dyerve të mbyllura, të fshehura nga sytë e publikut, por jo nga e vërteta”, përfundon reagimi i fondacionit.