
illimi i vitit të ri shkollor nuk është më i njëjtë për shumë fëmijë në Kosovë. Bankat, që dikur ishin simbol i dijes e shpresës, po shndërrohen gjithnjë e më shpesh në skena dhune, frike dhe pasigurie.
Çdo ditë ka fëmijë që e nisin mëngjesin me ankth, duke menduar jo për mësimin, por për atë nëse do të jenë viktima të fjalëve të rënda, të shtyrjeve apo edhe të dhunës fizike. Prindërit rrëfejnë me frikë historitë e fëmijëve të tyre, ndërsa rastet që raportohen në publik tregojnë vetëm majën e një problemi shumë më të madh.
Nga Prishtina në Gjilan, nga klasat e ulëta deri tek adoleshentët, fenomeni i bullizmit dhe i dhunës po rritet, duke lënë plagë të dukshme e të padukshme. Për disa, një vend i uljes në bankë ka mjaftuar që të kthehet në arsye për sulme dhe përjashtime sociale. Për disa të tjerë, pasojat kanë qenë edhe më të rënda – deri tek humbja e jetës.
Institucionet flasin për rregullore, manuale e trajnime, por realiteti në terren mbetet i zymtë. Shkollat, mësuesit dhe prindërit shpesh ndihen të vetëm përballë një dukurie që kërkon veprim të përbashkët dhe të guximshëm. Sociologët e quajnë këtë një mungesë të trekëndëshit themelor: familje, shkollë dhe komunitet. Kur ai mungon, fëmijët ndihen të braktisur dhe shpesh reagojnë me dhunë.
Në këtë betejë, nuk mjafton vetëm të flitet. Nevojitet që fëmijët të dëgjohen, mësuesit të mbështeten dhe prindërit të bëhen pjesë aktive e zgjidhjes. Përndryshe, çdo raport i ri do të jetë thjesht një statistikë tjetër e dhimbshme, ndërsa fëmijët – që janë e ardhmja e Kosovës – do të rriten mes frikës, dhe jo mes dijes.
KAQPATA