
Gazeta Demos ka siguruar pamje ekskluzive nga momenti i arrestimit të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili ndodhi mbrëmë pas mesnatës, rreth orës 00:15, në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Pak pas arrestimit, ai humbi jetën.
Në pamjet e siguruara, shihet se gjatë arrestimit, i ndjeri po rënkonte, ndërsa në momentin kur policët e shtrinë në tokë, njëri prej tyre rrëshqiti dhe dyshohet se viktima ka goditur kokën.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka konfirmuar se 27-vjeçari dyshohet të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit dhe kishte sulmuar automjete dhe kalimtarë në vendin e ngjarjes.
Njësitë policore reaguan menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje mbërriti edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ofroi ndihmën e parë viktimës.
Megjithatë, përkundër përpjekjeve, ai u konstatua i vdekur.
Në vendngjarje janë prezente njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda, të cilët kanë nisur hetimet dhe po ndërmarrin të gjitha veprimet për ndriçimin e plotë të rastit, përfshirë sigurimin e provave dhe intervistimin e dëshmitarëve.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes.
KAQPATA