
Një ndër pesë policët e arrestuar për vdekjen e Agon Zejnullahut në Lipjan, Artidon Kongjeli, ka dhënë një deklaratë të gjatë dhe të detajuar para Prokurorisë, të përfshirë në dosjen hetimore.
Në këtë deklaratë, Kongjeli përshkruan momentin kur ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe përpjekjet për të vënë nën kontroll 27-vjeçarin, i cili sipas tij kishte sjellje të çrregullta dhe nuk i bindej urdhrave të policisë. Ai thekson se është përdorur “kontroll i butë duarthatë”, ndërsa përmend se ishte e vështirë të vendoseshin prangat për shkak të rezistencës fizike të të ndjerit.
“Kam përdorur kontroll të butë, në mënyrë profesionale, për ta futur nën kontroll personin. Pasi që ishte i zhvilluar fizikisht, kishim vështirësi t’i vendosnim prangat”, deklaroi ai.
Polici tregon se pas arrestimit, Agon Zejnullahu u vendos në pozicion të ulur dhe iu dha ujë, në kohën kur në vend mbërriti edhe autoambulanca.
Kongjeli thotë se më pas, bashkë me kolegët e tij, ndihmuan për ta vendosur të ndjerin në barrelë dhe ta fusnin në veturën e emergjencës. Sipas tij, më vonë kanë rrethuar vendin e ngjarjes me shirit dhe aty ka vërejtur një qese me substancë të dyshuar narkotike.
“Kam vërejtur në vendin ku ishte i dyshuari një qese me substancë të dyshuar narkotike”, thotë ai, duke lënë të kuptohet se mund të ketë qenë fjala për kokainë.
Më tej, Kongjeli përshkruan lëvizjet e tij mes vendit të ngjarjes, emergjencës dhe stacionit policor, ku ka dhënë ndihmë në intervistimin e ankuesve, të cilët sipas tij kishin qenë më parë të sulmuar nga Zejnullahu.
Deklarata e tij është pjesë e dosjes hetimore të Prokurorisë, e cila ka caktuar masën e paraburgimit për pesë zyrtarët policorë nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.
KAQPATA