
Danimarka ka marrë zyrtarisht presidencën gjashtëmujore të Këshillit të Bashkimit Evropian nga 1 korriku, por ende nuk ka sinjale për ndonjë zhvillim në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar që në dhjetor 2022.
Aplikimi i Kosovës mbetet në pritje për shqyrtim formal nga Këshilli i BE-së, për t’u përcjellë më tej për opinion te Komisioni Evropian – një hap që në kushte të zakonshme do të konsiderohej formalitet, por që për Kosovën vazhdon të mbetet i ndërlikuar për shkak të mungesës së njohjes nga pesë shtete anëtare dhe klimës politike në vend.
Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka statusin e vendit kandidat, çka tregon për ngecjen e agjendës së saj evropiane. Eksperti evropian i Radios Evropa e Lirë, Rikard Jozwiak, shprehet se nuk pritet ndonjë ndryshim gjatë presidencës daneze, për shkak të mungesës së stabilitetit politik në Kosovë dhe stagnimit në procesin e dialogut me Serbinë.
“Danezët dëshironin të shtynin përpara disa çështje, por nuk morën ndihmë nga Kosova”, tha Jozwiak, duke theksuar se mungesa e një qeverie funksionale dhe seanca të mbyllura të Kuvendit po e zbehin angazhimin institucional ndaj BE-së.
Edhe analisti Kurt Bassuener nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit në Berlin, e kritikoi qasjen e njëanshme të BE-së në dialogun Kosovë–Serbi, duke e cilësuar si të dëmshme dhe kërkoi trajtim të barabartë për të dyja palët.
Bassuener thekson se, ndonëse Kosova ka përputhshmëri të lartë me politikat e jashtme të BE-së, ajo po penalizohet politikisht, ndërsa Serbia vazhdon të trajtohet me tolerancë, pavarësisht orientimeve të saj ambigue gjeopolitike.
Nga ana tjetër, Jozwiak parashikon që presidenca daneze do të fokusohet në çështje të tjera prioritare, si përkrahja ushtarake për Ukrainën, negociatat tregtare me SHBA-në dhe planifikimi i buxhetit të ri afatgjatë të BE-së, ndërsa zgjerimi i BE-së pritet të përparojë vetëm për vende si Shqipëria dhe Mali i Zi.
Aplikimi i Kosovës vazhdon të mbetet jashtë axhendës aktive të BE-së, ndërsa rregullorja e BE-së ia jep pikërisht presidencës së radhës detyrën për ta proceduar atë më tej. Deri më tani, asnjë nga vendet që mbajtën presidencën pas Çekisë – e cila pranoi aplikimin në dhjetor 2022 – nuk e ka shtyrë përpara këtë proces.
Në këtë ritëm, Kosova rrezikon të mbetet në listën e gjatë të dosjeve të papërfunduara të BE-së, bashkë me premtime të tjera ende të paplotësuara.
KAQPATA