
Saga e transferimit të mesfushorit shqiptar Ardon Jashari ka hyrë në një tjetër fazë tensioni, pasi klubi belg Club Brugge ka refuzuar ofertën përfundimtare prej 38 milionë eurosh nga AC Milan, përfshirë bonuset.
Burime të shumta raportuan se Milani po priste përgjigje që nga e hëna, por ajo mungoi edhe të martën e të mërkurën, duke shkaktuar frustrim te drejtuesit në “Casa Milan”. Reagimi erdhi të enjten, por jo në favor të kuqezinjve.
Shefi ekzekutiv i Club Brugge, Bob Madou, deklaroi për mediat belge “Het Laatste Nieuws” dhe “Het Nieuwsblad” se:
“Për momentin nuk kemi ndonjë ofertë që na bind për ta lëshuar Jasharin. Për ne, ky nuk është fundi i një cikli.”
Ai shtoi se përkundër vlerësimit për lojtarin, nuk do të ketë transferim pa një ofertë që e justifikon largimin e tij. Madou nuk e përjashtoi mundësinë e shitjes në të ardhmen, por theksoi se:
“Nëse Jashari qëndron edhe një vit, nuk do të jetë vetëm Milani që do të interesohet për të.”
Ky është një sinjal i qartë për Milanin: nëse duan Jasharin, duhet të rrisin ofertën.
KAQPATA