
Në kampin e Chelsea-t ka rënë zyrtarisht “alarm shitjeje”. Klubi londinez ka bërë të ditur listën e lojtarëve të cilët nuk janë më në planet afatgjata të trajnerit dhe bordit drejtues, e në mesin e tyre është edhe sulmuesi shqiptar Armando Broja.
Sipas një raportimi të The New York Times, Broja është informuar se duhet të kërkojë një klub të ri, së bashku me gjashtë futbollistë të tjerë: Raheem Sterling, Ben Chilwell, Axel Disasi, Renato Veiga, Carney Chukwuemeka dhe një emër shtesë që pritet të bëhet publik në ditët në vijim.
Qëllimi i klubit është i dyfishtë – të gjenerojë të ardhura për të respektuar rregullat e Fair Play-it Financiar dhe të largojë lojtarët që nuk kanë arritur të japin kontributin e pritur në skuadër.
Largimi i Brojës vjen pas një sezoni të vështirë, ku sulmuesi i përfaqësueses shqiptare nuk gjeti vazhdimësi në formë dhe minuta në fushë. Klubi është i gatshëm të dëgjojë oferta, ndërkohë që interesim për të kanë shfaqur disa skuadra nga Premier League dhe Serie A.
Verës së vitit 2025 po i paraprijnë ndryshime të mëdha në “Stamford Bridge”. Me emërime të reja në staf dhe ristrukturime në skuadër, Chelsea synon një identitet të ri dhe një rikthim në majat e futbollit anglez dhe evropian.
KAQPATA