
Të paktën tre persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën në një sulm me armë që ndodhi në një restorant në lagjen Brooklyn të New York City, herët në mëngjes, ndërsa lokali po mbyllej.
Komisarja e Departamentit të Policisë së New Yorkut, Jessica Tisch, deklaroi në një konferencë për media se raportimet për të shtëna mbërritën pak para orës 3:30 të mëngjesit me kohën lokale.
Viktimat janë tre burra, dy prej të cilëve 27 dhe 35 vjeç, ndërsa mosha e të tretit ende nuk është konfirmuar. Tetë të plagosurit u dërguan në spitalet pranë vendngjarjes, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
“Disa persona të armatosur ishin të përfshirë në incident dhe ende nuk janë kapur,” tha Tisch, duke shtuar se në vendngjarje u gjetën të paktën 36 gëzhoja nga armë të ndryshme.
Komisarja theksoi gjithashtu se, pavarësisht këtij incidenti tragjik, ky vit shënon numrin më të ulët të të shtënave dhe viktimave nga armët e zjarrit në New York që nga fillimi i vitit.
Policia ka hapur një hetim për ngjarjen dhe po punon për të identifikuar dhe arrestuar autorët.
KAQPATA