Banka Qendrore e Kosovës ka lansuar Platformën për krahasimin e produkteve dhe shërbimeve financiare, me synim rritjen e transparencës në tregun financiar, fuqizimin e konsumatorëve dhe ofrimin e qasjes së barabartë në informata të sakta e të përditësuara.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se kjo platformë është një hap i rëndësishëm drejt avancimit të sektorit financiar në vend. Sipas tij, ajo përmban të dhëna të standardizuara për norma interesi, tarifa, komisione dhe kushtet e produkteve më të përdorura nga qytetarët.

Aktualisht, platforma pasqyron të dhëna për 50 institucione financiare në Kosovë, përfshirë banka, institucione mikrofinanciare, institucione jo bankare dhe kompani sigurimesh. Ajo përfshin 17 kategori produktesh, të ndara në 60 nënprodukte dhe mbi 200 ndarje të detajuara, duke ofruar rreth 10 mijë informacione të dobishme për qytetarët.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, e quajti këtë nismë një shembull të fuqishëm transparence, duke theksuar rëndësinë e edukimit financiar dhe sigurisë për konsumatorët. Ai rikujtoi se Bashkimi Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë mbeten mbështetës të rëndësishëm të zhvillimeve në këtë sektor.

Përfaqësuesja e EFSE, Venera Hoxha, e vlerësoi projektin si strategjik dhe thelbësor për funksionimin e sistemit financiar në Kosovë.
KAQPATA