
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka mbështetur deklaratat e profesorit britanik Aidan Hehir, i cili ka kritikuar ashpër Gjykatën Speciale në Hagë. Bosch ka shpërndarë deklaratat e Hehirit në rrjetet sociale, duke i cilësuar si “fjalë të mençura”.
Sipas Hehir, Gjykata Speciale është një projekt i motivuar politikisht, i krijuar për ta qetësuar Serbinë dhe për t’ia imponuar Kosovës një narrativë që barazon luftën çlirimtare të UÇK-së me krimet e shtetit serb.
“Gjykata iu imponua Kosovës nga fuqitë perëndimore, për të afruar Serbinë me Perëndimin dhe për ta larguar nga ndikimi rus”, ka thënë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminster-it.
Hehir theksoi se gjykata i shërben propagandës serbe dhe ndihmon në rishkrimin e historisë së luftës së viteve ‘90, duke paraqitur UÇK-në si organizatë terroriste dhe shqiptarët si agresorë.
Në vlerësimin e tij, Gjykata Speciale nuk është ndërtuar mbi drejtësi të barabartë, por është instrument politik që minon stabilitetin e Kosovës dhe fuqizon nacionalizmin serb.
“Kosova e pavarur nuk përbën kërcënim për askënd, ndërsa nacionalizmi agresiv serb është rreziku real për paqen. Nëse liderët e UÇK-së shpallen fajtorë, pasojat politike dhe sociale do të jenë të rënda”, paralajmëroi Hehir.
Ai shtoi se shpallja e figurave si Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi si fajtorë, do të shkaktonte zemërim të madh në Kosovë dhe do të thellonte ndjenjën e tradhtisë ndaj aleatëve perëndimorë.
KAQPATA