Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka deklaruar se bizneset në vend po përballen me sfida më të mëdha se kurrë më parë në 25 vitet e fundit.
“Biznesi është duke u përballur me një sfidë si asnjëherë më parë që nga paslufta. Kemi kaluar faza të ndryshme të tranzicionit, por kësaj here biznesi është duke kaluar sfida shumë të mëdha”, u shpreh Rafuna, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai theksoi mungesën e reformave nga institucionet, duke kujtuar se tashmë janë shtatë vjet pa ndryshime në politikat fiskale. Po ashtu, ai përmendi edhe sistemin e arsimit, i cili sipas tij nuk lidhet me nevojat e tregut, si dhe mungesën e reformave në sundimin e ligjit.
Një tjetër problem i madh, tha Rafuna, mbetet kriza energjetike dhe pasiguria që u krijohet investitorëve të huaj nga deklaratat e pamatura të udhëheqësve institucionalë.
“Sulmet, tensionet politike, sanksionet e BE-së dhe prishja e raporteve me partnerët strategjik jo vetëm që i trembin investitorët e huaj, por edhe bizneset vendore nga zgjerimi në Kosovë, duke i orientuar drejt rajonit”, tha Rafuna.
KAQPATA