
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Beke Berisha, ka reaguar pas vdekjes tragjike të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu nga Lipjani, rast që ka ngjallur shqetësime të mëdha në opinionin publik, përfshirë edhe familjen e të ndjerit, e cila dyshon se ai ka humbur jetën pas një rrahjeje nga Policia e Kosovës.
Në reagimin e tij publik, Berisha ka kërkuar një hetim të pavarur dhe transparent nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit, për të zbuluar rrethanat e vërteta që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
“Respekti për jetën e njeriut është themeli i çdo rendi demokratik dhe ligjor. Askush nuk është mbi ligjin, as qytetari, as polici,” ka theksuar deputeti.
Ai ka kërkuar që, nëse vërtetohet tejkalim i kompetencave apo veprime të paligjshme, përgjegjësit të ndëshkohen sipas ligjit.
“Ngushëllime të sinqerta familjes Zejnullahu. Dhimbja juaj sot është dhimbje e të gjithëve. Ju siguroj se nuk do të lejojmë që kjo çështje të mbulohet me heshtje. Drejtësia duhet të vihet në vend,” ka përfunduar Berisha.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa pritet reagimi i institucioneve përgjegjëse për sqarimin e plotë të këtij rasti.
KAQPATA