
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka reaguar ashpër ndaj rasteve të fundit të përdorimit të dhunës nga ana e policisë, duke deklaruar se ky institucion po largohet nga misioni i tij parësor dhe po kthehet në një aparat dhune.
Në një intervistë për “Kosova Live”, Elezi tha:
“Policia, mjeku e ministri janë në shërbim të qytetarëve, jo e kundërta. Me taksat tona ata paguhen për të na shërbyer, jo për të na dhunuar, jo për të na vjedhur.”
Sipas tij, veprimet e fundit nga forcat e rendit janë alarmante dhe ngritin pikëpyetje serioze për drejtimin që po merr shteti:
“Policia ka për detyrë të zbatojë ligjin. Por kur përdoret si aparat dhune, kur tejkalohet forca, atëherë kemi një problem shumë më të thellë institucional,” theksoi ai.
Elezi paralajmëroi se normalizimi i dhunës dhe mungesa e përgjegjësisë mund të krijojnë pasoja të rënda për shoqërinë:
“Rastet e përsëritura të abuzimeve dhe mungesa e përgjegjësisë mund të çojnë drejt një shoqërie ku dhuna shihet si normale. Kjo e minon rëndë sigurinë publike dhe e zbeh besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.”
Ky reagim vjen pas një serie incidentesh që kanë tronditur opinionin publik në Kosovë, duke rikthyer në fokus nevojën për reforma dhe llogaridhënie në institucionet e sigurisë.
KAQPATA