Bashkimi Evropian nuk arriti marrëveshje për përdorimin e aseteve të ngrira të Rusisë në ndihmë të Ukrainës, për shkak të kundërshtimeve të Belgjikës, ku ndodhet pjesa më e madhe e fondeve.
Në samitin e mbajtur më 23 tetor në Bruksel, liderët evropianë i kërkuan Komisionit Evropian të vazhdojë punën për një plan që do të mundësonte përdorimin e rreth 140 miliardë eurove nga rezervat e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë. Megjithatë, disa diplomatë thanë se marrëveshja përfundimtare është ende e largët.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, theksoi se BE-ja do të sigurojë mbështetje financiare për Ukrainën për dy vitet e ardhshme. “Rusia duhet ta kuptojë këtë mesazh — Ukraina do të ketë burimet që i duhen për t’u mbrojtur nga agresioni rus,” tha ai.
Belgjika, përmes kryeministrit Bart De Wever, ngriti shqetësime ligjore dhe kërkoi garanci që të gjitha shtetet anëtare do të ndajnë përgjegjësinë nëse Moska kërkon kompensim. “Jam vetëm Belgjika e vogël, por do të bëj gjithçka për ta ndalur këtë vendim derisa të kemi garanci të plota,” tha ai.
Edhe pse samiti nuk solli marrëveshje, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e vlerësoi rezultatin si pozitiv, duke theksuar se BE-ja garantoi mbështetje financiare për Ukrainën deri në vitin 2027.
KAQPATA