
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar pas debatit të hapur lidhur me një artikull të vitit 2012, ku në një kapitull flitej kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Basha sqaroi se pjesëmarrja e tij në botimin e asaj kohe ka qenë rezultat i pakujdesisë gjatë periudhës kur ishte student, duke theksuar se nuk ka qenë në dijeni se kapitulli i tij do të publikohej si pjesë e një bashkautorësie.
“Prej meje, sa për sqarim, më është kërkuar një kapitull për fushën e hulumtimeve të mia dhe e kam dorëzuar me bindjen se do të publikohet si kapitull i veçantë. Në asnjë moment nuk kisha pranuar të jem bashkautor ku flitet ashtu për UÇK-në. Është dashtë të jem më i kujdesshëm. Pajtohem se kam qenë i pavëmendshëm,” tha Basha.
Ai shtoi se nuk e kishte lexuar tërësisht punimin deri kohët e fundit, kur u bë publik dhe objekt debati.
“Kërkoj falje për pakujdesinë time. Duhet ta pranoj që kam qenë i pavëmendshëm. Kam kërkuar të tërhiqet kapitulli dhe emri im nga punimi. Askush nuk mund ta vë në dyshim atdhetarizmin tim,” theksoi ai.
Debati publik u ndez pasi në tekstin e botuar figuronin pretendime mbi financimin e UÇK-së nga trafikantët e drogës. Basha theksoi se këtë pjesë e ka shkruar bashkautorja Jana Arsovska, ndërsa ai nuk ka pasur lidhje me këto pretendime.
Reagimi i kryeparlamentarit vjen pas kritikave të shumta në opinionin publik, ku u vu në pikëpyetje roli i tij në këtë publikim.
KAQPATA