
Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka organizuar sot një performancë simbolike para Stacionit të Policisë dhe Gjykatës në Lipjan, në shenjë proteste për vdekjen tragjike të Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit nga Lipjani.
Gjatë aksionit, aktivistët kanë ngjitur postera me mesazhe të fuqishme si “Komandën e fundit e dha fryma” në hyrje të stacionit policor dhe “Pa drejtësi, s’ka qetësi” në objektin e Gjykatës Themelore – Dega në Lipjan, për të theksuar nevojën për llogaridhënie institucionale dhe drejtësi të plotë në këtë rast.
Sipas AVONET-it, rasti i Zejnullahut ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur dyshime serioze për tejkalim të kompetencave dhe shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e policisë. Ata kanë kërkuar një hetim të pavarur, profesional dhe të paanshëm, për të zbardhur plotësisht rrethanat që çuan në vdekjen e të riut.
Aksioni simbolik u zhvillua paralelisht me seancën gjyqësore ndaj pesë zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për përfshirje në këtë ngjarje. Seanca po mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan.
AVONET deklaroi se do të vazhdojë të monitorojë nga afër procesin dhe të ushtrojë presion publik që drejtësia për Agon Zejnullahun të mos mbetet në heshtje.
KAQPATA