Në Gjykatën e Apelit është shqyrtuar ankesa për dënimin me burgim të përjetshëm të vëllezërve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.
Avokatët mbrojtës kërkuan rigjykim, duke pretenduar mungesë provash dhe mosqartësi në aktgjykimin e shkallës së parë. Florent Latifaj, përfaqësues i Jeton Vllasaliut, tha se në elaborimin e provave ka mangësi serioze, ndërsa avokatja Kosovare Kelmendi theksoi se asnjë dëshmitar nuk e ka përmendur klientin e saj si pjesëmarrës në krim.
Në anën tjetër, avokati i familjes Rexhepi, Besnik Berisha, e quajti dënimin me burgim të përjetshëm “më të paktin e mundshëm”. Ai theksoi se nga provat del qartë se “arkitekti ka qenë Nexhati dhe ekzekutuesi Jetoni”, duke përshkruar mënyrën e sofistikuar të kryerjes së krimit.
Sipas aktakuzës, më 8 prill 2021, Rexhepi ishte mashtruar nga vëllezërit Vllasaliu për një marrëveshje shitjeje veturash në vlerë prej 30 mijë eurosh. Ai u ngufat dhe u varros fshehurazi në zonën e Malit të Madh në Vllasali të Novobërdës, ku mbetjet e tij u gjetën pas më shumë se një viti.
KAQPATA