Arsenal ka njoftuar një ndryshim të madh në strukturën drejtuese, pasi Tim Lewis është larguar nga posti i nënkryetarit ekzekutiv. Lewis, i cili ka qenë këshilltar i familjes Kroenke për gati dy dekada, u bë pjesë e bordit të Arsenalit në vitin 2020 dhe në vitin 2023 u promovua në pozitën e lartë drejtuese.
Në vend të tij, Richard Garlick është emëruar drejtor ekzekutiv i klubit, ndërsa Kelly Blaha, Otto Maly dhe producenti Ben Winston i janë bashkuar bordit si anëtarë jo-ekzekutivë. Krahas tyre, edhe Dave Steiner, këshilltar afatgjatë i KSE, do të jetë pjesë e strukturës së re.
Josh Kroenke falënderoi Lewis për kontributin e tij gjatë periudhës së transformimit në klub, duke theksuar rolin e tij kyç në forcimin e pozitës së Arsenalit. Ai shtoi se emërimet e reja synojnë të sjellin energji të re dhe përvojë të gjerë për të ndihmuar klubin në arritjen e objektivave madhore.
Lewis ka pasur marrëdhënie të ngushta me trajnerin Mikel Arteta, duke luajtur rol të rëndësishëm në rinovimin e tij të kontratës në vitin 2022, si dhe në marrëveshje të rëndësishme të merkatos, përfshirë transferimin e Eberechi Eze këtë verë për 60 milionë funte.
Pavarësisht ndryshimeve të mëdha në prapaskenë, Arsenali ka nisur sezonin pozitivisht, duke u renditur në vendin e dytë të Premier League pas katër ndeshjeve.
KAQPATA