Armëpushimi i shumëpritur midis Izraelit dhe Hamasit do të hyjë në fuqi sonte, pas miratimit nga qeveria izraelite. Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe e konfirmuar nga presidenti amerikan Donald Trump, parashikon lirimin e pengjeve dhe tërheqjen graduale të forcave izraelite nga disa zona të Gazës.
Sipas mediave izraelite, menjëherë pas ratifikimit të marrëveshjes, do të nisë një periudhë 24-orëshe gjatë së cilës vendimi mund të apelohet në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë. Pas kësaj, Hamas do të ketë 72 orë për të përmbushur pjesën e tij të marrëveshjes, që përfshin kthimin e të gjithë pengjeve – të gjallë apo të vdekur.
Presidenti Trump e cilësoi këtë zhvillim si një “ditë të madhe për paqen në Lindjen e Mesme”, duke kujtuar se marrëveshja vjen dy vjet pas sulmit brutal të Hamasit më 7 tetor 2023, që la mbi 1,200 viktima në Izrael.
Kjo marrëveshje përbën fazën e parë të një procesi më të gjerë paqeje, i cili pritet të sjellë stabilitet në rajon pas dy vitesh luftimesh të ashpra dhe mijëra viktimash civile.
KAQPATA