
Vdekja tragjike e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu gjatë arrestimit nga Policia në Lipjan ka shkaktuar tronditje të madhe dhe kërkesë të shtuar për transparencë institucionale. Pesë zyrtarë policorë tashmë janë në paraburgim 30-ditor, të dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Ndërkohë, Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), institucioni përgjegjës për autopsinë dhe analizat mjeko-ligjore, nuk ka konfirmuar ende nëse analizat toksikologjike të viktimës janë dërguar jashtë vendit. Zyrtarët e IML kanë theksuar se nuk kanë publikuar raport preliminar dhe se komunikimi i tyre zyrtar bëhet vetëm me prokurorinë përkatëse.
“Deklarojmë me përgjegjësi morale dhe profesionale se nga IML nuk ka dalë ndonjë raport i tillë, dhe ky lajm si i tillë është jo i vërtetë”, thuhet në reagimin e institucionit pas raportimeve në media për një raport paraprak mbi shkaqet e vdekjes.
Nga ana tjetër, burime të ndryshme mediatike kanë raportuar se mostrat toksikologjike të Agon Zejnullahut janë dërguar për analizë në Maqedoninë e Veriut, për shkak se laboratori përkatës në Kosovë aktualisht është jashtë funksionit.
Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, i cili deklaroi në emisionin “Pressing” në T7 se:
“Mostrat e Agonit kanë shkuar në Maqedoninë e Veriut, që do të thotë ne si shtet kemi dështuar të ndërtojmë mekanizma që ua lehtësojnë punën institucioneve të drejtësisë.”
Përveç hetimeve ndaj zyrtarëve policorë, Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar për fillimin e hetimeve ndaj një mjekeje të urgjencës në Lipjan, lidhur me dyshimet për mosdhënie të ndihmës së parë dhe një deklaratë të saj të cilësuar si në kundërshtim me etikën profesionale.
Ndërkohë, qytetarët dhe familjarët e të ndjerit vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe zbardhje të plotë të kësaj ngjarjeje që ka lënë një plagë të thellë në opinionin publik.
/gazetaexpress/
KAQPATA