
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, ka zhvilluar sot një takim zyrtar me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi, ku u diskutuan zhvillimet më të fundit politike dhe institucionale në vend.
Në njoftimin zyrtar të Ambasadës Italiane thuhet se takimi ishte “një shkëmbim i frytshëm mbi zhvillimet e fundit në vend”, duke nënvizuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy vendeve në fushën juridike dhe të drejtës kushtetuese.
“Ambasadori Antonini u takua me z. Nexhmi Rexhepi, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për një shkëmbim të frytshëm mbi zhvillimet e fundit. Ata theksuan bashkëpunimin e shkëlqyer me Italinë, veçanërisht në fushën e shkëmbimit të ekspertizës juridike dhe praktikës kushtetuese”, thuhet në deklaratë.
Takimi vjen në një kohë vendimtare për institucionet e Kosovës, pasi Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar kërkesën e dorëzuar nga AAK, me mbështetjen e PDK-së dhe LDK-së, lidhur me kushtetutshmërinë e propozimit për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Nga Kushtetuesja është bërë e ditur se çështja është ende në shqyrtim dhe se vendimi do të komunikohet në kohën e duhur për të gjitha palët e interesit.