
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka theksuar se Kosova humbi këtë vit mundësinë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës (KiE), për shkak të mungesës së një hapi kyç nga institucionet vendore.
Në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Rohde deklaroi se institucionet e Kosovës do të duhej ta kishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një proces i domosdoshëm për të ecur përpara drejt anëtarësimit.
“E kemi thënë: sapo të bëhet ky hap i parë, duke ia dërguar gjykatës suaj (Gjykatës Kushtetuese) për shqyrtim, ne 100 për qind do të respektojmë vendimin e Gjykatës. Ne do të kemi një takim të jashtëzakonshëm në Këshillin e Evropës dhe do të shtyjmë për anëtarësim, dhe jam i bindur se Kosova do të kalojë,” tha ambasadori gjerman.
Rohde mbetet optimist se Kosova do të ketë mundësi të reja, por paralajmëroi se pa këtë hap të parë institucional, procesi i anëtarësimit nuk mund të ecë përpara.
KAQPATA