
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Sh.H., i cili qëndron nën masën e paraburgimit që nga data 23 qershor 2025, për vjedhjen e një sasie mbi 3 kg ari.
Sipas aktakuzës, Sh.H., nga fshati Greme – Komuna e Ferizajt, së bashku me shtetasin bullgar V.G., më 12 janar 2025 në orët e para të mëngjesit hynë të maskuar dhe të pajisur me mjete të përshtatshme në argjendarinë “G” në Prizren. Ata çaktivizuan sistemin e alarmit, hynë me forcë dhe morën rreth 3 kg ari 14 karatësh, disa monedha, hallka dore, 1 kg argjend dhe një peshore. Vlera totale e dëmit për pronarin A.B. është rreth 195,000 euro.
Më tej, po atë natë, të pandehurit tentuan të hapin kasafortën e argjendarisë “S.G.”, por nuk ia arritën dhe largohen nga vendi. Në një tjetër incident më 23 janar, Sh.H. depërton me forcë në objektin e të dëmtuarit S.A., ku merr një modem dhe DVR, si dhe dëmton kabllot e sistemit të kamerave.
Prokurori ka propozuar konfiskimin e disa mjeteve dhe sendeve të përdorura për kryerjen e veprës, përfshirë:
- Një apartament 117 m² në Ferizaj
- Automjete të markave Renault, BMW, STELS dhe Peugeot
Pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, prokurori kërkon që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
KAQPATA