
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër shtetasve të huaj, të dyshuar për përfshirje në skemë financiare të paligjshme me çeqe të rreme, shpëlarje parash dhe keqpërdorim të kartelave bankare.
Sipas njoftimit zyrtar, të akuzuarit janë tre shtetas të Republikës së Turqisë (A.S., A.S. dhe S.O.) dhe një shtetas i Maqedonisë së Veriut (S.E.). Ata dyshohet se nga nëntori i vitit 2024 deri në shkurt të vitit 2025 kanë regjistruar biznese në ARBK dhe kanë hapur llogari bankare përmes të cilave kanë keqpërdorur qindra kartela ndërkombëtare, duke klonuar të dhëna të shtetasve nga Danimarka dhe vende të tjera.
Përmes këtyre veprimeve, të pandehurit dyshohet se kanë përfituar 372,900.42 euro në mënyrë të kundërligjshme. Po ashtu, Prokuroria thekson se shuma e njëjtë është shpëlarë përmes tërheqjeve të parave në bankomatë dhe transferimeve jashtë vendit, kryesisht në Turqi.
Aktualisht, të akuzuarit ndodhen në masë paraburgimi, ndërsa Prokuroria ka propozuar vazhdimin e kësaj mase deri në përfundim të procedurës gjyqësore.
KAQPATA