
Një autobus i kompanisë kosovare Dubova Reisen, me udhëtarë nga Kosova, është përfshirë në një aksident në Gjermani gjatë orëve të para të mëngjesit së 20 gushtit.
Nga kompania u konfirmua se vetëm tre pasagjerë kanë pësuar lëndime të lehta, kryesisht nga thyerja e xhamave. “Fatmirësisht pasagjerët janë mirë. Aksidenti ndodhi rreth orës 00:30 kur një makinë ia humbi drejtimin autobusit”, thanë përfaqësues të kompanisë.
Megjithatë, mediat gjermane Rosenheim24 dhe Bild, duke cituar policinë gjermane, raportuan se rreth 30 persona janë lënduar, gjashtë prej tyre rëndë dhe të dërguar në spital. Të tjerët u trajtuan në qendrën emergjente të zjarrfikësve në Irsshenberg.
Autobusi, me rreth 50 pasagjerë, ishte nisur drejt Mynihut dhe u përplas me pjesën e pasme të një kamioni të ngarkuar me mallra në autostradën A8. Shoferi i autobusit, një 49-vjeçar nga Sllovenia, dyshohet se e pa kamionin shumë vonë, ndërsa drejtuesi i kamionit ishte një 47-vjeçar polak.
Për shkak të aksidentit, autoritetet gjermane mbyllën për dy orë segmentin e autostradës ku ndodhi përplasja.
KAQPATA