Një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka përsëritur thirrjen për partitë dhe subjektet politike që të respektojnë të dhënat personale të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor.
Në njoftimin e saj, AIP thekson se çdo përpunim i të dhënave personale duhet të bazohet në baza ligjore si pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj. Agjencia kërkon që partitë të mos përdorin të dhënat kontaktuese të mbledhura për qëllime publike në marketing politik dhe të mos ekspozojnë informacione personale pa pëlqim paraprak përmes emailit, mesazheve apo telefonatave.
AIP thekson gjithashtu se qytetarët kanë të drejtë të kundërshtojnë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejtë dhe partitë duhet të ndërpresin komunikimin menjëherë pas këtij kundërshtimi. Njësia e privatësisë kërkon gjithashtu që të shmangen format e profilizimit apo përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme pa bazë të qartë ligjore dhe pa masa mbrojtëse.
Në përfundim, Agjencia shprehet e gatshme të bashkëpunojë me partitë politike për mbrojtjen e të dhënave personale dhe nënvizon se transparenca dhe respektimi i ligjit janë thelbësore për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
KAQPATA