
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit nga kryesuesi Avni Dehari, duke e cilësuar veprimin si antikushtetues dhe të dënueshëm.
Ai theksoi se LDK qëndroi në sallë dhe deputetja Hykmete Bajrami mbajti fjalën e saj, ndonëse përpjekjet për të ndalur diskutimin ishin evidente.
“Kjo fjalë s’mund t’i ndalej siç ju ndal deputetit Zogaj. Le të jetë një fillim i diskutimeve parlamentare pas uzurpimit antikushtetues që po i bëhet Kuvendit nga partia e parë”, deklaroi Abdixhiku.
Sipas tij, kjo është hera e 41-të që Vetëvendosje, si partia e parë, dështon të krijojë shumicën parlamentare dhe pengon funksionimin e Kuvendit.
“Sot, me arrogancë, vendosën ta injorojnë rendin e ditës që ishte dakorduar me të gjitha partitë në takimin me Glauk Konjufcën. E ndryshuan sipas dëshirës, pas shtatë seancash – gjë që askush nuk ka të drejtë ta bëjë, aq më pak një ‘më i moshuar’”, tha ai, duke iu referuar pozitës së përkohshme të kryesuesit.
Kreu i LDK-së paralajmëroi se veprime të tilla përbëjnë vepër penale dhe do të mbajnë përgjegjësi:
“Kjo është një përmbysje e rendit kushtetues me vetëdije dhe qëllim. Një ditë do të ketë përgjegjësi për këtë. Partia e parë mund të kapë një ulëse, por jo të uzurpojë Kuvendin”.
Ai përfundoi se LDK do të vazhdojë të mbrojë ligjshmërinë dhe të flasë përpara qytetarëve dhe opinionit ndërkombëtar për problemet që po bllokojnë të ardhmen e vendit. /Ekonomia Online/
KAQPATA