Ndarja e nga 100 eurove për pensionistët, punëtorët e sektorit privat dhe kategori të tjera nga Qeveria në detyrë është mirëpritur nga përfaqësues të pensionistëve, megjithatë ata thonë se kjo ndihmë mbetet e pamjaftueshme përballë gjendjes së rëndë ekonomike.

Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Sherif Kastrati, ka kërkuar nga institucionet zbatimin e Ligjit 131, i cili sipas tij parasheh rritjen e pensioneve në bazë të inflacionit.

Ai deklaroi se inflacioni ka rënduar ndjeshëm jetën e pensionistëve dhe se 100 eurot përbëjnë vetëm një ndihmë të përkohshme.

“Gjendja e pensionistëve në Kosovë është katastrofike krahasuar me vendet përreth. Kjo shumë është vetëm një infuzion i shkurtër mujor”, tha Kastrati.

Edhe në Sindikatën e Sektorit Privat të Kosovës kanë reaguar ndaj vendimit të Qeverisë, duke e cilësuar atë diskriminues për punëtorët e sektorit privat.

Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi, tha se punëtorët e sektorit privat janë trajtuar në mënyrë të pabarabartë krahasuar me sektorin publik.

Sipas tij, mjetet do të duhej të orientoheshin tek punëtorët me paga më të ulëta, sidomos ata që marrin rreth 250 euro në muaj.

Ndërkohë, disa pensionistë e kanë mirëpritur ndihmën financiare, duke thënë se pavarësisht se nuk është zgjidhje afatgjate, ajo përfaqëson një formë mbështetjeje dhe kujdesi institucional.

Në mbledhjen e fundit, Qeveria në detyrë miratoi pakon “Inflacioni 2.0”, e cila përfshin mbështetje financiare për pensionistë, punëtorë të sektorit privat, studentë, fëmijë dhe lehona, me vlerë totale prej rreth 200 milionë eurosh.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *